- STRATEGJITË BASHKËKOHORE TË MËSIMDHËNIES
Mësimdhënia ndërvepruese. Mësimdhënia ndërvepruese nënkupton bashkëpunimin dhe ndërveprimin mësimdhënës-nxënës, nxënës-nxënës ku secili ka detyrat dhe përgjegjësitë e veta. Në mësimdhënien ndërvepruese nxënësi dhe mësimdhënësi janë dy faktor të rëndësishëm në procesin mësimorë. Nxënësi është pikënisje në planifikimin e punës mësimore.
Mësimdhënia me në qendër nxënësin. Ndryshe nga mësimdhënia tradicionale ku mësuesi ishte në qendër të procesit mësimorë, mësimdhënia me nxënësin në qendër nga vet emërtimi na bënë të kuptojmë se në qendër të mësimdhënies dhe të të nxënit është nxënësi me karakteristikat e tij vetanake. Qëllimi i kësaj mësimdhënie është përvetësimi i njohurive dhe zhvillimi i shkathtësive e aftësive që nënkupton edhe aftësimin e nxënësve për të përdorur burimet e informacionit në mënyrë të pavarur.
Kjo mënyrë e punës, të nxënit dhe ndërveprimit në procesin e mësimdhënies me në qendër nxënësin dhe zhvillimit të aftësive i ka vendos themelet e mësimdhënies bashkëkohore. Prandaj është përgjegjësi e institucioneve edukativo-arsimore për krijimin e një mjedisi të të nxënit ndërveprues, ku nxënësit mësojnë duke vepruar, bërë dhe duke përdorur nivele më të larta të të menduarit. Pra karakteristikë e mësimdhënies me në qendër nxënësin është të nxënit.
Mësimdhënia e diferencuar. Duke u nisur nga vet natyra e nxënësve, që asnjë nxënës nuk është i njejtë me tjetrin për nga ana trupore, mendore (aftësitë), përvoja, rrethi shoqëror, interesat, nevojat, ndjenjat, prirjet etj. atëherë është e nevojshme që secili nxënës të mësoj sipas mënyrës së vet. Këto dallime midis nxënësve përcaktojnë format e punës, metodat dhe teknikat mësimore, stilet e të nxënit, mjetet etj. Në këtë rast shtrohet nevoja për mësimdhënie të diferencuar.
Në mësimdhënien bashkëkohore përdoren strategji të ndryshme, por asnjëra nuk mund të jetë e përshtatshme për të gjithë nxënësit dhe të arrihen suksese të larta. Prandaj është e nevojshme të përzgjedhen strategji të mësimdhënies dhe t’u përshtaten nevojave e dallimeve në mes nxënësve të ndryshëm.
Mësimdhënia e integruar (ndërlidhur). Mësimdhënia e integruar nënkupton zhvillimin e procesit mësimorë dhe përvetësimin e njohurive nga jeta e përditshme e nxënësve, përvoja e tyre si dhe të ndërlidhura në lëndë të ndryshme. Kjo mësimdhënie ndryshe quhet edhe ndërdisiplinore, sepse mësimet, njohuritë janë në lidhshmëri në mes të lëndëve të ndryshme: gjuha, matematika, arti, muzika, lëndët natyrore dhe shoqërore. Pra në këtë rast bëhët ndërlidhja e lëndëve përmes projekteve në tema të ndryshme. Mësimdhënia e integruar i aftëson dhe përgatitë nxënësit për të nxënë të qëndrueshëm. Kjo mësimdhënie e integruar bëhët në formën e punës në grupe, me planifikimin paraprak të temave në punën mësimore me projekte. Ka mendime se të nxënit është më cilësor kur përmbajtjet paraqiten, përvetësohen të ndërlidhura në më shumë lëndë, fusha mësimore dhe ndërlidhja e punës së shkollës me jetën e përditshme. Kjo nënkupton që njohuritë e nxënësve të përdoren në situatat problemore dhe në jetën e përditshme.
Ndërlidhja apo integrimi i kurrikules përmbushet pikërisht përmes mësimit me tema.
Mësimdhënia tematike. Mësimdhënia tematike përfshinë të nxënit me tema që mundëson ndërlidhjen e lëndëve dhe fushave mësimore, ku përmbushet mësimdhënia e cila zhvillon aftësitë, shkathtësitë, shprehitë e nxënësve me anë të ndërveprimit të tyre.
Planifikimi i punës mësimore mbështetet në tema mësimore. ”Mësimdhënia tematike realizon integrimin e fushave tematike dhe të disiplinave të ndryshme për të eksploruar një ide interesante, për t’i dhënë përgjigjie një çështjeje për të analizuar e diskutuar një temë nga shumë këndvështrime dhe në lëndë të ndryshme etj.[1])
Mësimi tematik përveç që zhvillohet në institucionin shkollor, ai mund të mbahet edhe në mjedise jashtëshkollore dhe në një kohë më të gjatë, ku shtrihet në më shumë orë mësimore. Sa i përket organizimit zakonisht bëhët në punën në grupe, ku nxitet ndërveprimi, kërkimi dhe puna me projekte.
Mësimdhënia dhe të nxënit përmes projekteve. Të nxënit përmes projekteve nënkupton përfshirjen e nxënësve në veprimtaritë grupore, përmes të cilave nxënësit mësojnë duke krijuar risi, gjëra të reja. Vet natyra e të nxënit dhe punës kërkon jo një orë por disa sosh, për të përfunduar projektet. Kryesisht në projekte trajtohen tema nga përvoja dhe jeta shoqërore e nxënësve. Zakonisht në projekte ndërlidhen disa lëndë, dhe është i nevojshëm bashkëpunimi i mësimdhënësve. Nxënësit duke bashkëpunuar në grup përdorin burime të ndryshme të informacionit për t’i zgjidhur vet problemet. Përgjegjësi e mësimdhënësit është organizimi, sigurimi i materialeve, mbikqyrja, dhe përcjellja e punës së nxënësve. Ky mësim i tërheq nxënësit, i nxitë për dituri të reja përmes ndërveprimit.
Mësimdhënia hulumtuese(kërkimore). Mësimdhënia kërkimore nënkupton të mësuarit në mënyrë aktive ku nxënësi zbulon, gjenë njohuritë, jep përgjithsime nëpërmjet të menduarit logjik dhe të pavarur. Gjatë procesit të të mësuarit nxënësit i zhvillojnë aftësitë e tyre duke zbuluar të vërtetat dhe arritjen e sukseseve në të nxënë. Mënyrat më të përshtatshme për përmbushjen e mësimdhënies kërkimore janë: projektet kërkimore, studimi i rastit, të mësuarit duke vepruar, diskutimeve etj.
Mësimdhënia hap pas hapi. Është një nga mësimdhëniet bashkëkohore ku në qendër ka nxënësin, nevojat, interesat, aftësitë e tij. Pra nxitë individualizimin e punës mësimore, organizimin veprimtarive të nxënësve të mbështetura në përvojën e tyre. Mjedisi i klasës ndahet në qendra mësimore, që krijohen kushte për ndërveprim dhe bashkëpunim të nxënësve.” Një ndër vetitë karakteristike të mësimit hap pas hapi, pos vlerës afirmative të individualizimit të plotë mësimorë, në të elementet e strategjisë didaktike janë të përqëndruara drejt zhvillimit të kreativitetit të nxënësve në të gjitha etapat zhvillimore të procesit mësimorë.”[2]) Mësimdhënia hap pas hapi zhvillon proceset mendore, të menduarit krijues dhe përfshin edhe bashkëpunimin me mjedisin shoqëror.
Prandaj të gjitha këto strategji të mësimdhënies të trajtuara në këtë punim kanë të përbashkët shumë elemente si: ndërveprimin, formën e punës në grupe, vetanake, në dyshe objektivat mësimor, zhvillimin e të menduarit kritik, krijues, zhvillimin e shkathtësive dhe shprehive të punës dhe aftësimin e nxënësve për të punuar në mënyrë të pavarur, si dhe zhvillohet të mësuarit për të nxënë.
Ma. Naim Babaj
[1] ) Grup autorësh(2005). Mësimdhënia e integruar dhe të mësuarit me tema. (Moduli 4).Ma.Aurela Zisi Mësimdhënia me në qendër nxënësin.Tiranë:QTKA. Fq.149
[2] ) Zylfiu,Prof.dr.sc. N.(2011).Teoria e mësimit dhe proceset didaktike të mësimdhënies. Prishtinë:PRITING-PRES. Fq.78.